Vidi-vidi pullumbeshë! 
Zëmra ime virgjëreshë 
Do të thot’ një fjal’ në veshë; 
Do të të them ne vesh një fjalë… 
Nuk ësht’ fjal’, po është valë, 
Që nga shpirti del e vjen 
Dhe ne zemër vjen e zjen; 
Me rrëmbim e me termete, 
E më bën që s’jam në vete… 
Her, ja hedh me brohorim, 
Her, ja thyej me ngashërim… 
Flas për ty dhe flas për ty, 
Për atë të shkretin sy, 
Për atë, për aq për kaq. 
Më ke marr’ në zëmër paq! 

* * * 

Vidi-vidi pullumbeshë, 
Për ty qaj e për ty qeshë, 
Që nga nis e sos veriu 
Nuk i kam zilin’ njeriu, 
As florive, mbretërinjve 
Kur në mes të dy gishtërinjve 
Vjen e thyhet trupi yt, 
Trup për kup’ që s’ka të dyt’! 

* * * 

Vidi-vidi pullumbeshë 
Dëgjo zemrën virgjëreshë 
Çdo gjë shkon e çdo gjë vete, 
S’mbetet gjë, asgjë per vete… 
Ato thashë e këto theme, 
Jan’ të kota e të rreme, 
E janë në ëndra e përralle, 
E çdo ëndër ësht’ rrëmalle 
Nuj le gjurma mbi qepalle… 
Po ajo që ska të sosur 
Gjer në dit’ të lemerisur, 
Mbetet yll në sy skalisur 
Jan’ kujtime rreth flori, 
Rreth të shkretës dashuri!