PËRSHKRIMI I PROJEKTIT

Projekti “Pas Vargut të Ali Asllanit” është një projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës i cili ka si synim krijimin e një platforme online në shërbim të promovimit të trashëgimisë kulturore, duke pasur në fokus të vecantë ndërkombëtarizimin e emrit të poetit Ali Asllani dhe  promovimin e krijuesve të diasporës. 

Kjo platformë @aliasllani.al e krijuar në funksion të projektit, synon të rikthejë vëmendjen në trashëgiminë kulturore të fshatit Vajzë duke e lidhur me teknologjinë digitale për të transmetuar tek të rinjtë jo vetëm kulturën por dhe origjinën e trashëguar ndër vite. Kjo platformë synon revitalizmin e zonës dhe kthimin e kësaj të fundit në një atraksion kulturor, turistik dhe jo vetëm.

Projekti synon:

1. Përfshirjen e krijuesve të diasporës në promovimin e trashëgimisë kulturore-historike.

Përmes emrit të poetit Ali Asllani projekti promovon dhe sjell në vëmendjen e lexuesve shqiptarë dhe jo vetëm, poetë shqiptarë që janë pjesë e diasporës së sotme. Projekti synon krijimin e një databaze për krjuesit shqiptarë të diasporës si dhe promovimin e veprimtarisë së tyre kulturore, online. 

2. Ndërkombëtarizimi i emrit të poetit Ali Asllanit. Përmes kësaj platforme projekti pasqyron të gjithë krijimtarinë e poetit Ali Asllani, biografinë e tij, shkrimet, studimet dhe kritikën e bërë mbi veprën e tij, si rrjedhojë  e kësaj të fundit edhe promovimin dhe kthimin në atraksion kulturor vendlindjen e poetit, fshatin Vajzë. 

3. Krijimin e një hapësirë virtuale dedikuar promovimit të trashëgimisë kulturore. Në vijim, kjo platformë do të ketë të përqëndruar informacionin mbi objektet dhe vlerat e trashëgimise kulturore të zonës, festat identifikuese apo aktivitetet kulturore në zonë. 

4. Rivitalizimi i jetës kulturore në fshatin Vajzë, duke rizbuluar vende që mbartin vlera dhe  trashëgiminë kulturore, si Kalaja e Amantias, shpella e Vajzës apo Kurora e Malit – vend i mirë pelegrinazhi për kultin Bektashi, dhe promovimin e këtyre të fundit si atraksione për turizmin kultror.

5. Krijimi i një rrjeti bashkëpunimi midis pushtetit vendor, bizneseve të zonës, të rinjve dhe diasporës shqiptare në kuadër të promovimit të trashëgimisë kulturore. Ky rrjet bashkëpunimi, nëpërmjet konsolidimit të kësaj platforme dixhitale, do ti shërbejë edhe promovimit të mëtejshëm të aktiviteteve kulturore të zonës edhe më gjerë. 

Grupi të cilit ky projekt i adresohet janë kryesisht të rinjtë në diasporë, krijuesit në diasporën shqiptare, të rinjtë në Shqipëri, studiuesit e letërsisë, pushteti vendor dhe bizneset që operojnë në fushën e trashëgimisë kulturore. Krijuesit e diasporës dhe bizneset që operojnë në fushën e trashëgimisë kulturore synohet që të jenë ofrues idesh dhe shërbimesh në funksion të promovimit të jetës kulturore në Shqipëri. Të rinjtë e diasporës dhe të rinjtë në Shqipëri mund të përforcojnë njohuritë e tyre rreth trashëgimisë kulturore të zonës së “Lumit të Vlorës” si dhe poezisë, duke dhënë kontributin e tyre në promovimin e produkteve të kësaj platforme.