Shkrimtar: Ndue Lazri
Recitues: Alfred Trebicka
Në trungun e ashpër të viteve të mi,
ku rrjedh lëng i njomësht i viteve të tua,
ti çel lulebardhë pranverës si qershi,
unë vjeshtës peshërëndë piqem si ftua.
Kjo pemë në çdo stinë i çel lulet shpuzë,
nektar u derdh frutave gjithë ëmbëlsi,
e kuqja e qershive ty të shpërthen në buzë,
ftonjtë erëmirë të struken në gji.
Stinët rendin e nuk ndalen aspak,
gërsheti i viteve mbështjell pemën si kulpër,
nëse ndonjëherë i ngjaj dimrit zemërak,
ti çel buzëqeshur si pranverë e bukur.
Kësaj peme nazike që i rri pyllit në skaj,
pishat i përkulen gjithë hijeshi,
kur ketrat kërkojnë emrin e saj,
zogjtë kompozojnë ëmbël: Dashuri.