Shkrimtar: Ndue Lazri
Recitues: Rozi Kostani
Kështjellë mbi liqen, ku muret janë të thatë,
në themelet e saj mban fshehur një tragjedi
një bukuroshe humbi ujrash nëpër natë
pse kish guxuar të binte në dashuri.
Nuk ish ajo Rozafë me foshnje në gji,
s’u muros që muret të qëndronin në këmbë,
dashurinë e saj e mallkuan si herezi
e malet i rrokullisën gurët me gjëmë.
Netëve kur errësira nxin si veladon,
e era fëshfërin porsi fustan nusëror,
nga ujrat ndihet zëri i vashës që rënkon
pse dashuroi priftin me ungjillin në dorë.
E dashur, kjo ka ndodhur shekujsh të shkuar,
ne vijmë plot gaz e pimë verë si rubin,
përkëdhelim mullagat që harlisen lulëzuar
si homazh i përjetshëm për dashurinë.