Shkrimtar: Irma Kurti
Recitues: Rozi Kostani
Sa shumë borëra kanë rënë mbi atë stol,
dielli e praroi me rreze, e lagën shirat,
stinët ia përcollën stafetën njera-tjetrës,
si në kllapi përgjumen kujtimet e mia.
Të tjera çifte janë ulur. Pëshpërimat tona
tanimë në grimca ajri janë shndërruar.
Heshtjen si triko shpesh hedh mbi supe,
vij këtu dhe me stolin bisedoj e vetmuar.
Ajo sipërfaqe e gurtë, e ashpër, e acartë,
nuk arrin në shpirt të më depërtojë dot,
pemët, si atëhere, më besojnë sekrete,
askush, veç meje, ato s’mund t’i kuptojë.
Kaloi një jetë, nuk kanë mbetur gjurmë
por diçka nis e merr formë brenda meje
e kthehem në shtëpi e dehur si atëhere,
krijoj një këngë dhe e belbëzoj me vete.
Ishte dashuria e parë dhe ti me siguri
këtë nuk e mësove e kurrë s’do ta dish,
se në jetë me pasion mund të dashurosh
dhe pa shkëmbyer një puthje e përqafim.
Mos më pyet si është e mundur, nuk e di,
kjo është mrekullia, magjia e dashurisë.
Shpirti im rilind e rizgjohet në atë stol,
tek ai falem shpesh, si të jetë një perëndi.