Pjesa e parë 

Halla ka marr’ mashën, urat po i shkrep 
edhe merr e jep, 
trungu i ullirit digjet me gazep, 
digjet mala-mala, sidomos bujashka; 
në dimër, moj motër, zjarri shum’ u dashka! 
Dhe, i lumtë goja kush e tha më par’ 
xhan e shpirt, o burrë, xhan e shpirt, o zjarr! 
Buk’ të that’ në sofër, buk’ dhe asgjë tjatër, 
po agai sa malet edhe zjarr në vatër! 
II 
Rreth e rrotull zjarrit nunuris njeriu, 
si gjithkush të tijat plaku dhe i riu… 
Fjala e të rinjve çelet me përrrallë 
me një gjum’ të ëmbël gati mbi qëpallë: 
Ç’është njëz’e njëzë, ç’jan’ata dervishë, 
Ç’jan’ ata dervishë, kryet me fildishë? 
ç’ësht’ai që s’hahet, ç’ësht’ai që s’pihet 
edhe nëpër xhepe kurr’ e kurr’ nuk vihet? 
Fjala e të rinjve çelet me përrallë 
Brezi yn’po dihet, zëm’e qajmë hallë… 
Një ka bër’ të mira, po s’ka par’ të mira 
tjetri qënka pjekur keq në takllaira; 
plagve të atia nuk iu gjend melhemi 
dertet e këtia nuk i merr kalemi; 
njëri s’paska miell, tjetri s’paska thes, 
fund’ i fjalës bota qënka e pabes’! 
Muaj i shënëndreut, muaj i flamosur 
ngryset edhe s’gdhihet, nata s’ka të sosur 
Shum’i hidhur qënka, shum’ e shum’ po thuaj 
sa dhe pulat s’pjellin brënda këtij muaj. 
Enët mbahen mbyllur, qypa, shtëmba, butet, 
pasi karakëshi vjen e brënda futet! 
Netët shum’të errta, dita shum’e vrazhd’, 
mbetëm mu si patat mbyllur në një grazhd; 
pa le llafazankat vin’e na bezdisën 
pasi kot së koti zën’ e kakarisën; 
ruana zot nga fjala, zgjatet edhe zgjatet 
sa me pash’ njeriu s’ka se si të matet! 
III 
Xhiko xhevahirja, Halla dhe Xhixhia 
Krushka Hanko Shega edhe xho Inxhia 
Bulla Qeribaja, dadara, gegera 
zonjat e mëhallës që na vin’ ngahera 
veshur kadifera, veshur me shalira, 
rroba rrob’ stambolli, s’paska më të mira! 
S’paska më të mira, po për sy të ballit 
bora më e pastër ësht’ në maj’ të malit 
rroba më e pastër ësht’ mbi trup të Hallës, 
mu si shkum’ e bardhë mu në sup të valës! 
Edhe rreth’i Hallës, rreth’ i atij gjiri 
ruaj zot nga syri, mu si prush floriri 
Duket der’ e parë, bukuri e derës 
çquan mbi katër stina stin’ e paraverës! 
Ngulur mbi shiltera, gjith’ ato shiltera 
hapur gjer te dera, shum’e shum’ të vyera 
me ixhat Janine lule ylyver 
dy mexhide topin Halla i ka bler’! 
Pa dëgjoni, zonja, – nisi Halla plak’- 
do ju them një fjalëz, fjalë pa kapak! 
Erdhi koh’ e keqe, koha e flamosur 
na u prish dynjaja, bota ësht’marrosur! 
Sot një lajmës erdhi, e mir’ se na erdhi 
pati çar nuk pati një nga një i derdhi’ 
lajkat më të rralla, lajkat më të holla… 
mbret mbi pem’ limoni, mbretëresh’ dhe molla… 
Fjala vinte rrotull, rrotull e vërdallë, 
ç’do t’i thot’ limonit moll’e kuqe vallë? 
Thuaj e thuaj e thuaj edhe shum’ përralla 
her’ i terej zëri, her’ i terej fjala 
her’ i terej fjala, her’ i terej zëri, 
dalë me ngadalë mos këputej përi 
her’ i çelej buza, her’ i çelej gazi 
dha e dha e mbushi… pasandaj e zbrazi: 
Qenka mos na qenka, një hadi bilmes 
na e do për nuse çupën time mbes’! 
Fët e fët e mora një kongjill nga zjarri 
nxora dhe nga xhepi një gjerdan prej ari: 
“Na – i thash’, – trazoj’, nuk trazohen kurrë 
njëri për në gusha, tjetri për në furrë” 
U më marrt’ të keqen dhe m’u bëft’ kurban 
far e fis i tija anemban’ ku jan’! 
IV 
Halla thot’ të drejtën, çupa si dy sytë 
si do bënej nuse, nus’ e derës s’dytë, 
kurse Hanko Halla rrjedh nga der’ e parë! 
Bota të mos kishte disa pashallarë 
soj i Hanko Hallës do ta kish me hak 
që të kish saraje dhe të kish oxhak; 
Halla do të quhej Halla Pashallesh’ 
fjal’ e saj do të ishte mu si vëth në vesh; 
Halla do të bënte si t’a kish istekun 
eja-ik mileti, merr e puth etekun! 
Gjyshi paska pasur shum’ para të thata 
paska pasur arqet plot me kollonata 
paska pasur mbushur arqe e sënduqe 
me para te bardha, me lira të kuqe 
gjalp’ e vaj’ i tyrej derdhej si përrua 
katër teste qypa kishin në katua, 
katër teste qypa, katër teste zgjoje 
mbushur me pekmeze, mbushur mjalt’ e hoje! 

Pastaj – vazhdon halla – patëm disa halle 
malet u bën’ fusha, fushat u bën’ male; 
fushat u bën’ male, malet u bën’ fusha 
humbi dhe floriri varur nëpër gusha! 
Dale me gadale humbën gjith’ te mirat 
humbi dhe xhanfesi, humbi dhe atllasi 
prej te katër anëve damëllana plasi! 
Humbi arm’ e burrit , humbi pall’ e lar’ 
humbi rrob’ e gruas kredhur gjith’ në ar! 
S’mbeti ar në xhepe, ari shkoi e shkriu 
s’mbeti gjak në zëmra, gjaku i burrit ngriu! 
Ku ësht’ brez’ i vjetër, brez që s’bëri mes? 
Dhe që di e shuan dhe që di e ndes? 
Flok’ i zi i tyrej si lele asllani 
ball i gjer’ i tyrej digjej yll karvani; 
fjal’ e fort’ e tyrej një e njësh me vulë 
shtati i holl’ i tyrej hedhur sa një kulë! 
Ku ësht’ Labëria, Labëri e parë 
vënd’ i jataganit, vënd’ i pallës s’larë? 
Ku ësht’ zonj’ e vendit, dor’ e llër çelnik 
qaf’ e çap’ sorkadhe hedhur me deftik? 
Qaf’ e çap sorkadhe, me deftik vërvitur 
dhe me thelp lajthi rritur e gostitur? 
Ku jan’ ato fëmra, fëmra deli fëmra? 
Ku jan’ ata meshkuj me një teste zëmra? 
Njëri mu si lisi, tjetri mu si shkëmbi 
më së fundmi mortja erdhi e i shëmbi! 
Ku ësht’ Fejzo Xhafua, dif i vëndit tënë? 
Rrapua i Hekalit , burr’ i ler’ me hënë? 
Çelua i Picarit, Çelua i Athinës 
krisma e rrufeve, gjëm’ e suferinës? 
E ku ësht’ Gjoleka, kryetrim i Kuçe? 
E ku jan’ këmishat përmbi gju hajduçe? 
E ku ësht’ xhyzdani, folla e pallaska? 
Pa këto Arbreshi fare hije s’paska! 
Tepër dredharake qënka kjo jallane 
E ku jan’ Ajanët, burrat hane-hane 
pleqësi e vendit veshur me fustane? 
Veshur me fustane, hej…fustan’ e shkretë… 
humbën parësia, humbe dhe ti vetë 
lisit të gremisur më s’i mbeti fletë! 
VI 
S’mbeti bor’ në male, bora paska shkrirë 
s’mbeti uj’ në fusha, ujët paska ngrirë 
Fusha paska dimër, mali paska vapë 
sqifi dhe sorkadhi humbi krah e çapë! 
Mu në mes na theu dynjallëku i shkretë 
nuk na mbetën lule, nuk na mbetën fletë 
fletët na kan’ rar’, pendët na kan’ rar’ 
nuk na peshon bota fare në kandar! 
S’mbeti der’ e hapur, humbi salltaneti 
humbën zijafetet, humbi muhabeti 
Plasën duke thirrur rroft’ e qoft’ mileti 
që të rroj’ mileti, u bë kijameti 
ja, edhe mileti nashti u bë popull 
dhe nga sherr i tija mëndja na vjen rrotull! 
Populli si deshi bëri një kanun 
që t’i thot’ agait, bujku: “si ti, un” 
Si ti, un’ moj motër , dhe s’ta ka për pes’ 
breh Valiu i Korçës, fare dinglemes 
i zot’ i hostenit vjen e të merr pjes’ 
i zot i femanit mbet me duar në mes! 
Mu si lesh arapi bota u trazua 
duaxhiu i djeshëm sot na u harvua 
jo vetëm ha bukën edhe përmbys kupën 
po guxon e dashka dhe për grua çupën! 
VII 
Mbylle, më thon’ djemt, tepër plak njeriu 
bënet mëndjevogël mu si çilimiu 
qënka si çdo plak 
ena pa kapak! 
Mir’ po un’ s’jam plakë, mermur i harbuar 
shtatdhjet’ e dy vjeçë vakti më ka shkuar 
Un’ e mbaj mënd mirë, isha goxha keçe 
kur u bëra nuse isha njëzet vjeçe 
rrojta e martuar dyzet e dy vjet 
dhe tridhjet ka burri që ndërroi jet’ 
bëni mir’ hesapin, dalë, me ngadalë 
ky harbut memur rrenacak do dalë! 
Më par’ kishim hoxhët me divit në bres 
shkruanin mbar’ e bukur, shkruanin me kujdes 
jo vetëm deftera, po edhe duara 
doktor e reçeta s’kish në koh’ të para! 
Me këto reçeta, me këto gënjeshtra 
u helmua gjaku, u helmua eshtra; 
zjarr në zemër s’mbeti, vajti e u shua 
dalë me ngadalë burri u bë grua! 
E ku qënka parë e ku ësht’ dëgjuar 
që të hapi fëmra gji e kraharuar 
dhe të shkoj’ përpara, burri t’i vej prapa 
ky pa hedhur çapën, femra hedh tri çapa? 
Nuk i merr kalemi gjith’ këto hesape 
kur që dor’ e burrit futet në çarape 
llër’ e gruas dolli lakuriq në shesh… 
Gjën shejtani shesh edhe bën përshesh ! 
VIII 
Mir’ për na të parët s’mbeti fjal’ e vend 
brez’i ri vall ç’pati që u prish nga mend? 
Gjeti çar nuk gjeti, pati çar nuk pati 
amanet nga nëna, amanet nga ati 
gjith’ato zakone, gjith’ato zanate 
gjith’ato që ishin burime, irate 
si ato të burrit dha ato të fëmrës 
thell’ e thell’ rrënjosur mu në thelp të zëmrës 
dhe për vendin ishin eshk’ edhe stërrall 
që në gji të burrit zjarr’ e mbajn gjall’ 
zjarrin e Arbreshit, zjarrin e vatanit 
zjarrin që bën vendin, vend i jataganit! 
Sidomos, moj motra, punën e tezgjahut, 
që punonin zonjat me fuqin’ e krahut 
me djersën e ballit 
punëra që tregonin shpirtin e të gjallit; 
guna e mëngore, linja e jelekë 
leshin na i çonte stani deles bejkë; 
gjith’ ato që ishin prokopi e tija 
dhe për hera mbahej shtëpi e fëmija 
gjith’ ata që thoshin: “jemi gjith’ Arbresh” 
keq a mir’ të ishin dhe kudo të jesh 
një nga një i hodhën mu si gun’ të grisur 
deh, moj kok’ e krisur, puna e mavisur! 
Një nga një i hodhëm mu si gun’ e vjetër 
dhe nuk qem’ të zotët që të bënim tjetër 
Pa po mbetëm drangull…në shi e në djell 
mbytur nëpër halle thell’ edhe më thell’ 
Mbytur nëpër halle si nje frënk myflis 
me një pallto kashte hedhur mbi kurris 
dhe një palo shapkë me një pal’ shallvare 
dhe më keq akoma, që nuk vete fare 
veshur benevrekë ose një poture 
dhe në rrip të mezit varur një kobure! 
Jemi bër’, moj motra, ç’far’ të them nuk di 
gjysm’ e trupit zok, gjysm’ e trupit mi! 
XI 
Ku jan’ ato kohra, kohra të ergjëndit 
kur na sillej qielli si baba i vendit? 
Po ashtu dhe shiu, po ashtu dhe dielli 
kurse na i deshim binin që nga qielli; 
me të hapur gojën qielli na i çonte 
mu në mes të vapës shi flori pikonte! 
Ku jan’ ato kohra të ergjëndit 
që dhe hëna sillej mu si nën’e vendit? 
Pra dhe beja bënej po për atë hënë 
po për atë nënë 
për djell, e për qjell 
dhe për atë zot q’ësht’ më i thell’! 
Nashti kur betonet burri thot’: “për nder” 
be’ e par’ dhe feja mbeti pa një vler’; 
bota u çkallmua, puna u trazua 
burri u bë grua, femra u harbua 
hoxha e u bë prift, prifti u tërbua 
dhe, gjynah mos qoftë, bënet mish e thua! 
vera u bë dimër, dimri u bë bishë 
shiu na i kalbi mish edhe këmishë! 
Gjëja më e vyer mbeti pa një vler’ 
e pra hund e botës duhej pakëz thyer… 
Edhe mir’ u thye 
pa kapell’ në krye 
mu si njeri pylli 
humbur vul’ e ylli 
del e shëtit burri… 
Vdiqën duke qeshur turku dhe kauri! 
Çdo gjë e ka humbur, humbi dhe pusullën 
s’ka në dor’ as kokën që të vër’ kësulën! 

Korr atë që mbolle, thënka fjal’e vjetër 
ja, nga an’e zotit dhe vërejtje tjetër: 
vinte ramazani, dimër qoft’ o verë 
kthehej nga Qebeja hëna, me një herë! 
Nashti edhe hëna zuri shikon vëngër 
Pasi kemi ndjekur udhën më të shtrëmbër! 
Pa vështroni hoxhët që aty më parë 
shkruanin si desh’ zoti, me kalem të mbarë 
vinin nga e djathta, venin në të mëngjër 
nashti, t’i haj’ ujku, zun’ e shkruajn shtrëmbër! 
Gjith’ këto gjynahe nuk i lan as deti 
duket që afroi koha kijameti 
Thënka dhe qitabi: rob’ i kësaj jete 
dale me gadale nuk do jet’ në vete 
sa që do harrojë portën e gjitonit 
sa që do pështetet’ degës së rigonit! 
XI 
Halla aty heshti, hoqi thell’ në zëmër 
diçka iu kujtua, sikurse një ëndërr… 
Një kujtim i vjetër erdhi e qëlloi 
si një yll i djegur flak’ e fill kaloi! 
“Ai” i kujtonet, veshur me fustane 
në një dor’ tespihet vark e radh’ merxhane 
dhe në dorën tjetër një çibuk sermaje 
rrahur me sadefe, gurë qehribaje! 
Vula dhe sahati varur për mbi gryk’ 
dhe mbi supe hedhur atë goxha qyrk 
Dredhur dhe mustaqet, dredhur e përdredhur 
brenda në silahe dy pisqolla kredhur 
Kredhur dy pisqolla dhe harbin’e artë 
shpatullat një pash, koka atje lartë 
varet nga haremet, zbret ne zapanara, 
zapanat’ e shkreta, zapanat’ e para! 
Kur ia hipte kalit, kali qyhelan 
edhe shkon revan 
edhe qahjaj pas 
me një dor’ në vithje…zëmra fryhej gas! 
kali si dragua 
katër vetëtima shkrepte një potkua! 
Ah! – thot’ Hanko Halla, – kur ish “Ai” gjallë 
kurr’ nuk bënte “gëk” njeri në mëhallë! – 
“Ai” na thot’ Halla, – pasi fëmra kurrë 
s’mund t’i flas’ në emër burrit që ka burrë! 
XII 
Tym e re e mjegull dhe në mes të saj 
çquan një drit’ kandili terur e pa vaj… 
çquan një drit’ e varfër, çquan një drit’ e shkret’ 
s’ka fuqi të digjej, ka fuqi të vret 
si një sy i bukur, flak’ e lot shteruar 
gati për t’u mbyllur, gati për t’u shuar! 
Çdo kujtim i ëmbël po kështu na duket 
kurse dit’e jetës ngryset edhe myket 
Kurse dit’ e jetës iku e u ngrys 
duket sikur bota vajti u përmbys! 
E …çfar ësht’ kjo jetë? Nuk e di kush thënka 
qënka mos na qënka, një kujtim na qënka 
Vdiqe – të qan tjetri, linde – do qaç vetë 
midis të dy lotve një kujtim i shkretë 
Pjesa e dytë 

Hallës nuk i hahet, Hallës nuk i pihet 
me të ren’e saja fare s’po i kihet 
Nusen nuk e dashka sa në od’ s’e qaska 
dhe që kur se erdhi, hal’ në sy e paska! 
Dhe që kur se erdhi Halla paska thënë 
nuk më duket nusja nuse për të qënë 
Lum shtëpi e babës diti dhe e nxori 
mjer’ shtëpi e burrit, ra në lak e mori! 
Tani – vazhdon Halla – si do ia bëj hallit? 
Çar t’i bëj zemanit, pa për sy të ballit 
do i thoshja djalit jepi pak e hak 
edhe ktheje prapa, bosh me tre tallak! 
Shko andej nga erdhe, erdhe kot së koti 
se paraja kallpe vete te i zoti! 
Çar t’i bëj zemanit, shum’ zeman i keq 
shum’i rënd’ për plaka, shum’ i rënd’ për pleq 
hoxha nuk trazohet, kadi’ nuk na mbeti 
me të tilla femra hall i math na gjeti 
Hall i math me nuse, hall i math me çupa 
një lëkur kunadhe hedhur përmbi supa 
tunden dhe lëkunden dhe në mes këputen 
nëpër duar shkasën, po në zëmra futen! 
Pun’ e tyrej vetëm lahen edhe lyhen 
edhe nëpër valle ven’ e vin’e thyhen; 
Femra me një mashkull, vallja vet’i dytë 
plasur dell’ i ballit, më u plaçin sytë! 
Gjith’ me flok’ të prera 
jo alla garsone, jo alla bebera 
me një llër të freskët nëpër djell të thekur 
me një trup të zeshkët nëpër kum të pjekur 
gji e gusha hapur digjen ylyver 
me një mes të hollë gati për t’u thyer 
Me një buz’ të kuqe shum’ e shum’ të nxehur 
dhe me atë vetull tej për tej të prehur 
me ato veshtrime mu sikur të lutet 
gjan se halle-madhes shpirti i këputet; 
me ato kapelle varur gjer në vesh 
zjarr’ i xhehenemit dolli krejt në shesh! 
Jo, moj xhane, kurrë s’mundem që ta heq 
që të thon’ se nusja ka një huq të keq; 
na fle e na ngrihet kur asaj i teket 
dhe i bën qepallat sikur qan e meket! 
Brënda s’e mban vendi, gjan se u çkallos 
jasht’ na shkon përpara si një koçollos 
me dit’ e me orë zgjatet e mbufatet 
me hije të saja afër darkës matet! 
II 
Nus’ e kësaj kohe tjetër zanat s’paska 
a do marr’ kalemin që të bëj’ laraska 
a do zër të shkruaj ose do dëgjojë 
një kuti të vogël që na flet me gojë 
Një kuti të vogël që mos qoft’ të jetë 
ësht’ një frënk i marrë, çirret e bërtet! 
Me një biz’ në dorë bën sikur punon 
këmbën përmbi këmbë nusja e dëgjon; 
dhe çudi, moj motër, si e qysh duron! 
Duket nga një herë zëri e lëndon 
frëngu rri i qetë ose do bërtas’ 
nusja e humbet dhe i vete pas 
frëngu e ngre zërin edhe sokëllin 
nusja e lë përin edhe vërshëllin; 
ai flet me vete, flet e flet përçartë 
nusja s’ësht’ në vete, bënet më e zjarrtë! 
III 
Halla do një nuse, nuse gojaplotë 
si një zall të bardhë, si një zall të fortë, 
me shami në krye an’e mban’ qëndisur 
dhe me flok’ të gjata prapa arratisur; 
dhe me flok’ të gjata deri mu në mes 
mu si nat’ janari sa të thell’ të zes; 
me shami të hollë ball’ e faqe hedhur 
sa t’i duket syri në qepallë kredhur; 
me flori në gushë hapur mu si prush, 
si t’ju them, moj motra … pjergulla me rrush! 
Rrall’e tek të duket, rrall’e tek të flas’, 
një thëllëz’ e bukur mbyllur në kafas, 
mbyllur në kafas një thëllëz’ e bukur, 
mu në mes të reve hëna në të dukur, 
mu në mes të reve si hën’ e si yll 
ose si një xhinde fshehur në një pyll! 
Halla do një nuse si edhe i biri 
rrënjë prej ergjëndi, degat prej floriri, 
me të folur Halla, nusja të hap’ sytë 
“Lepe” fjal’e parë, “peqe” fjal’ e dytë; 
edhe asgjë tjetër, vetëm “lepe”, “peqe” 
pasi zemr’ e Hallës qenka si një qelqe: 
po u thye, vajti, s’ka më, ngjite, qepe, 
zogu i plagosur di të kap’ me sqepe! 
IV 
Çupa – tregon Halla – nuk stoliset fare 
që ta njohën bota zogëzën beqare; 
po kur bënet nuse, nusja do të niset 
me fleta me lule pema do stoliset! 
Dora me kënah, koka me mazi 
dhe në cep të syrit një gjëkafsh të zi, 
“sevap” e “xhaiz” ësht’ disa pika erë 
sa t’i njom cullufet fresk’e bukur prerë! 
Hajde dhe shaminë, sado ësht gjynah, 
lëre që ta lidhi shtrembër në një krah! 
Po të sillet bukur si dhe grat’ e para 
sidomos – thot Halla – dua temenara! 
Temena e shkretë humbi si një ëndërr 
vjen të merr nga sheshi dhe të vë në zëmër, 
pasandaj në buzë, mbasandaj në kokë 
aty ku ësht’ vendi për miq’e për shokë! 
Aty ku ish vendi për miq’e për shoqe, 
kurse nashti femra, kokërr dhe karroqe, 
vjen ta bën me kokë, pasi tash po thuaj 
na u bën’ frëngesha brenda disa muaj! 
“Me një hër’u bëmë 
Zoti ia bëft’ frëngut shapkën sa një lëmë” 
than’ e bjer për dita rroba të mëndafsha, 
rroba të mëndafsha, rroba kasht’ e bar, 
nusja për një manto jep dy grushte ar! 
Gjith’ pazarin nusja mu në od’e futi, 
na u bë shtëpia magazi çifuti; 
rroba për pasdreke, rroba për mëngjes, 
rroba për në mjegull, rroba për në ves’, 
disa për në banjo, disa për në kum, 
disa kur t’ia bëjë një daulle bum; 
Disa për në çajra, disa për në valle, 
ruana zot dhe rroba për në kanavale! 
Disa për në dimër, disa për në verë, 
tamëm sa për vjehrrën që të fryhet vrerë! 

Mir’se mendjeshkurtër femra u harbua, 
burri q’është burrë ç’ka që bënet grua? 
Çdo gjë ka të ngjarë, po kurr’ edhe kurrë 
dorën e një femre nuk e puth një burrë! 
Pa më thoni, zonja, si ka sy e faqe, 
si mundet e bënet mashkull pa mustaqe? 
Kurse be’ e burrit, beja më me hije 
dora në mustaqe bënej deri dije 
dora në mustaqe edhe mos u tund 
pasi fjal’e burrit aty merret fund! 
Çdo gjë u ndryshua, çdo gjë u shkallmua, 
koka u zbulua, këmba u mbulua, 
kur në kohrat tona, me të hyr’ që hyje, 
kundra mbetet jashtë, festja përmbi krye; 
nashti futet brenda çdo këpuc’e lyerë 
dhe kapell’ e pastër varet përmbi derë! 
Pjesa e tretë 

Halla paska pritur me them’ e të thash’, 
sa u rrit shelegu edhe u bë dash; 
nusja, ajo nuse, ndiz’ e fal’ cingar, 
më shum’ nga cingari nusja merret zjarr! 
Nusja, ajo nuse, ari i shtëpis’ 
bëri këmb’ e iku, xhepi u vithis. 
Ari i shtëpis’ bëri këmb’ e iku 
kur një nat’ pas darke, një kokosh: kikiku! 
Ish kokosh’i Hallës, një kokosh i bardhë 
një kokosh që shokve nuk iu linte radhë, 
kur ia thosh’ i shkreti hipur përmbi shkallë, 
zër’ i tij, moj motër, ruante shtat’ mëhallë! 
Atë nat’ – thot’ Halla – bëri zë pa kohë 
na u prish dhe moti, bëri shi e llohë, 
koha u ndryshua, moda u ndryshua, 
“Dua dy pal’ rroba” nusja u harbua, 
njërën e do klosh, tjetrën ohohosh, 
zuri borxh’e parë dy mij’ e ca grosh! 
II 
Një dit’ më thosh’ nusja, gjëra për të qeshur, 
sa që më ra krahut dhe këmish’ e veshur: 
“Hall’, në ke të holla mbetur e kursyer, 
lëri në një bankë, vëndi më i vyer!” 
Nuk e dinte nusja fjalën e të parit: 
– Haje o i mençur, mallin e të marrit – 
Ari, bija ime, ari i kursyer 
vëndin e ka bukur brënda në qemer! 
Me të thirrur : xhep! 
xhepi të thot’ : lep! 
Ari në qemer, foshnja përmbi bel, 
na i tha i pari që shikonte thell’! 
Ka edhe të tjera, fjalë q’i merr era 
mir’po nga një herë nuk i nxë as dera 
ç’pret nga brez’i ri? 
Gjëja më çudi s’quhet më çudi! 
Nusja paska parë në qitap të ri 
që përpara ligjit jemi një lloji, 
edhe un’, moj motër, zëre nga t’a zësh 
me këdo një grua qënkam një e njësh! 
Mir’ i thash, moj bijë, po qitap’ i vjetër 
thënka një gjë tjetër: 
Syri do t’i plasë, dora do t’i thyhet, 
dora e mameshës që s’ju preu kryet 
dhe ju la bela, 
zjarr në xhep për burra, hal’ në sy për gra! 
Nashti jam mësuar 
mu si maj’ e malit me dëbor’ ngarkuar! 
III 
Halla thot’ të drejtën, nusja kur të flasë 
para Hanko Hallës, fjalët mir’ t’i masë; 
nusja eci mëngjër ose shikoi vrëngër, 
s’ka të bëj’, se Halla, ka një deli zemër. 
Femra në ka një, Halla na ka dy, 
dhe sado që fajin bam ta thot’ në sy, 
sa her’ na ka falur! Nusja na lajthitet, 
kok’e falur s’pritet! 
Të rinjt’ e të rejat jan’ si ditë prilli 
rriten dita-ditës dhe si trëndafili 
her’ i deh bilbili, her’ i deh veriu 
her’ po kot së koti dehen vetvetiu. 
I riu – veriu thënka dhe i pari 
fjala e të parit vlen më shum’ se ari! 
Si e re që është edhe nus’ e Hallës 
derdhet mu si vala, vala i ngjan valës; 
po sado të derdhet mu si val’ e detit 
nonjë dëm s’i bëhet detit e kismetit! 
Shkoni e shikoni valën që valon, 
se sa shum’ gjëmon, se sa pak gjykon’ 
me re’ e me erë zë e guduliset 
tundet e lëkundet dhe nga shtrati niset; 
fryhet edhe fryhet duke ngritur kryet, 
pasandaj i teket anës detit thyhet; 
njëra shkon përpara, tjetra turret pas 
njëra do përplaset, tjetra do pëllcas’; 
si e si të bëjnë sa shum’ e më shumë 
mbi kurris të detit buj’ e zhurm’ e shkumë! 
Mir’ po deti det 
dhe asgjë s’humbet! 
Dhe sado që duket se u bë rrëmujë 
deti si përhera rrafsh e plot me ujë! 
Pjesa e katërt 

Shpirt e xhanë, 
eja, më thot’ nipi, vemi në Tiranë, 
eja, Hall’, të lutem se do bësh sehir 
zonja shum’ të mira, burra shum’ të mir’! 
Lëm, të keqen Halla, ti më rruash të paça 
un’ për her’ të fundit do të dal, në dalça; 
e do dal, do iki dhe do shkoj për jetë 
në sehir të fundit, në sehir’ të shkretë! 
Un’, mor djal’ i Hallës, nëna e shtëpisë’, 
kam një tuf’ me halle varur mbi kurris; 
kam një tuf’ me derte, kam një tuf’ me halle 
nga ato që zbardhën vetull e qepalle; 
e i thash’ i thashë…Djali, me shum’ mall 
eja, nguli këmbët xhan’ e shpirt, o Hall’! 
Desha dhe nuk desha, 
hodha namazbezin, mir’ e mir’ u vesha, 
dhe që atë ditë hipëm në kaike, 
ish për her’ të parë që po veja mike, 
mike në pampor; 
prita edhe prita, po sa prita s’di 
mbas nonjë orë, 
si i thon’ nashti, 
pasi dhe sahatin, sahatin e gjorë, 
që kur na e prishën edhe e bën’ orë, 
– na u bë dhe koha fare li e lesh,- 
sahatin e saktë nuk po e marr’ vesh! 
Prita në pampor, prita kot së koti: 
as e zonja erdhi as edhe i zoti; 
“Mirseerdhe, moj zonjë” njeri nuk më tha, 
frëngun dhe frëngeshën ujku që s’i ha! 
Un’, thot Hanko Halla, sado që kam rar’ 
matem e peshohem me flori e ar; 
na jemi si rrëza, mu si rrëz’ e djellit 
që sado që bije lart nga maj ‘ e qiellit, 
bije nëpër male, krahu nuk i thyhet, 
bije në moçale, këmba nuk i lyhet! 
II 
Pasandaj pampori fryti e u nis; 
si kërcasin muret, muret e shtëpis’ 
si kërcasin muret kur i rreh tërmeti, 
po ashtu kërcisnin kur i rrihte deti 
eshtra e pamporit; mirpo më së fundi 
diti si e tundi! 
Kur i vinte vala, bënte sikur kridhej, 
kurse valës tjetër drejt për drejt i hidhej, 
aty valës dukej anës do ia mbante, 
kurse valën tjetër mes për mes e çante! 
Ball’ i bëri bukur detit të tërbuar, 
një dybek i rrihte mu në kraharuar; 
dank e dunk dybeku…un’ sa jesh kumbisur 
kur dëgjoj ca pula tue kakarisur! 
Tepër u habita, qënkemi në Vlorë 
apo harroj udhën ky i shkret pampor 
dhe u kthye prapa? Po në mbeçim udhës? 
Kur dëgjoj që thoshin : “kena mrri në Durrës!” 
Që thoni, moj zonja, erdhëm në Tiran’. 
Po kur disa femra, m’u bëfshin kurban, 
disa qyqe femra më një qoshe mbledhur 
ferexhet e zeza përmbi krye hedhur, 
koka e mbuluar, këmba e zbuluar, 
ruana zot nga fëmra kurse ka çkalluar! 
Thon’ se nga një herë këto ferexhera 
diku i ngrë era, 
brenda duket zogu ball’ e gush flori 
që i thot’ Tirana “zogëza kumri”; 
qënka guguftuja që i themi na, 
mirpo ësht’ gjynah, s’mundet “me u pa”! 
Afër disa meshkuj, veshur, po si veshur? 
disa për të qarë, disa për të qeshur; 
në krye në këmbë pa shije pa hije, 
çfar’ t’ju them moj motra, pika që s’u bije! 
Disa për të qeshur, disa për të qarë, 
s’paska më shqiptarka, s’paska më shqiptarë! 
Ku jan’ ato rroba, rrobat e të parit 
rrobat që peshohen me dërhem të arit? 
Tej një shesh i gjërë bota jep e merr, 
edhe një gjëlpërë s’ka se ku të bjer’; 
zonja e zonjushe si thëllëza fushe 
mu si pika ari, mu si flori gushe; 
dy nga dy po ecin, me bërryle shtyhen, 
në se u hedh dorën, me një her’ do thyhen! 
Me një her’ do thyhet mez’i holl’i vajzës; 
hedhur si lastarë, hedhur si billonja; 
zonja mu si çupa, çupat mu si zonja; 
palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër, 
duket than’e juqe edhe fëmr’e vjetër! 
III 
Blegërin një dele, tingëllin një zile, 
bota paska halle, hallet me kaçile; 
hallet me kaçile, halle prej Tirane, 
lum Tiran’ e kuqe mbushur me zeshkane! 
Mir’ po – vazhdon Halla, pakëz e çuditur, 
rri si rri sorkadhja, çap e vrap lajthitur – 
mir’ po ra mëngjesi, rrugët do i pëllcasën; 
lozën edhe karta, birçe ose briç 
çekan e çekiç në kok’ e godiç. 
Folu, nuk të flasën; ktheu, zën e shkasën 
dhe më cep të syri din’ se si të vrasën. 
Dhe ajo që duket ëngjëllush’e butë 
në një shishe brënda dy shejtane futë; 
llëra lakuriq, këmba lakuriq, 
demek sa për mua …edhe burri vdiq! 
IV 
Hanko Halla isha, Hanko Halla jam 
Hal’ në sy i kisha, hal’ në sy i kam 
Nuk më mbushet syri, nuk më mbushet zëmra, 
nuk më piqet ylli me të tilla fëmra! 
Mir’po – vazhdon Halla, – edhe psherëtiti, – 
aty nga del fjala do më dal’ dhe shpirti; 
pa do them të drejtën se më bënet derte, 
cilido gjynahun le ta ket’ për vete, 
kur i pash’ të parat, desh më zuri frika 
kur i pash’ të dytat…de iu rëntë pika! 
Ato në mos qofshin, këto për të qënë… 
duket pem’ e bukur që ka mbir’ me hënë; 
duket pem’ e bukur që me hën’ ka mbirë 
dhe që asaj dite ish sahat i mirë: 
Porosita djalin: – Në se të kam djalë, 
ik e i thuaj nuses të m’a bëj hallallë! – 

Aty Halla heshti, hoqi, psherëtiti, 
një kujtim i vjetër erdhi e goditi… 
Kur ish Hanko Halla nuse topi ‘i borës 
kur “Ai” e mbante në pëllëmb’ të dorës, 
vishej edhe ngjishej sikurse një flutur, 
sikurse një flutur nëpër fleta futur! 
Sako dhe tumane…ar edhe mëndafsh; 
varur pendolirat…shko një her’ më qafsh, 
shkonte si veri e vinte si tallas, 
këmba, si krah zogu, s’linte gjurma pas! 
Halla ish një lule, dhe nga ato lule, 
syri me ta parë, mu në gjunj u ule. 
Ajo ish një lule, po edhe “Ai” 
ish për atë lule një saksi flori. 
Fund’i fjalës Halla ish një dallandyshe, 
si ish e si qënka…jan’ dy gjëra ndryshe!