Shkrimtar: Flurans Ilia
Recitues: Rozi Kostani
Një ditë pikë pikë
do pikojm’ edhe ne
si nota
të befta në pentagram
tretje prej akulli
trajta e mbrame e dimrave
në sytë e tu si kamera të vockla
regjistron HESHTJEN
kasandrat
kamaret
kështjellat
bishtukun dhe pishtarin
motin e mureve
(celularin)
koha është një koncept
me caqe të caktuara
hapësira flë ndënë ura
ninëza e syrit të të pastrehëve
murmura e mureve të spitaleve
qirinjtë
librat
poetët
bulëza e
vreshtarit
koha që i duhet verës
përtej territ
të maturoj kohën
e rishtarit
vargje vargje parmakët e urës
vështrojnë lumin
ujëpakët
për miliona vjetë asnjëherë
kaq madhështor
nuk ka qenë ai i një çasti më parë
sepse një ditë
pikë pikë
edhe ne do të pikojmë
si nota të befta në pentagram