Shkrimtar: Entela Tabaku
Recitues: Rozi Kostani

1.

Jam prej dheu

kujtimet m’i mbledhin qoshet

me duer të lagta

ia formojnë grykën poçes ku mbahem

vegzat

fundin

e shtien në furrë

dhe e pjekin

jam prej dheu

të djegun

2.

jam prej dheu

kujtimet m’i ngjyejnē qoshet

me bojna të kuqe

ia llakojnë grykën poçes ku mblidhem

vegzat

fundin

e nxjerrin në diell

dhe e thajnë

jam prej dheu

të përcëlluem

3.

jam prej dheu

kujtimet m’i vlojnë qoshet

ia shkrijnë grykën poçes ku shfaqem

vegzat

fundin

e shtrijnë në magje

dhe e shterrin

jam prej dheu

të magjepsun

4.

jam prej dheut

tand

të përvëluem