Shkrimtar: Elona Gjerko
Recitues: Rozi Kostani

Në hekurishten e ndryshkur të një konserve peshku

M’i palosën dëshirat

Si të ishte paja e nuselales…

Asnjë vogamë nuk nxorrën

E as gëk guxuan të ëndërronin,

Thjesht u ngucën e u zhubrosën

Duke pritur trokëllimën e takave të saj…

Kollën,

Tymin që dilte pasi kalonte në hell

Detajet,

Ca jaka të mëndafshta,

Gravata të pavëna meshkujsh

Me lulelajle,

Fustanët që më sillnin pranverën

Dhe shenjat e gjunjëve

Të gjunjëzuar kalldrëmeve me gurë,

Atje ku vegjëlia ime, lindte çdo ditëlindje

Një kujtim të mbytur,

E tani, luaj me kutinë e konservës

Mbi heshtjen e tavolinës së drunjtë,

Si të ishte dopjo gjashta,

Dëgjoj dhe përdredhjen e shalëve së anijes

Mbi valët…

Tek çon në djall mua dhe ecjet e mia

Gjithmonë e më larg Korçës

E më therr shpirti me dhembkë si deti i mbytur,

Kur hapat e mi,

Ngucen te këpucët e atij që nuk flet shqip

E që do e quaj gjithmonë

Tjetri,

Dhe ai mua, e huaja !