Shkrimtar: Ali Asllani
Recitues: Alfred Trebicka

Un’ jam un’, saksi e vjetër! 
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër 
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa 
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa 

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije 
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie 
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije 
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije 
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije… 

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’, 
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj? 
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj 
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj? 

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa, 
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa 
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër 
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër! 

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë 
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’ 
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr 
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’ 
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj 
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!