Shkrimtar: Brikena Qamaj
Recitues: Rozi Kostani
Të është bërë zakon,
më puth te cepi i buzës e ikën pa menduar ëndrrën time të lënë gjysmë
Jam i sigurt se diku fshihesh pas kësaj e më sheh
si prek me gishta zhuritjen e puthjes sate,
si ndjek me shqisa aurën tënde,
si zgjas duart të arrij “prekjen e zotit”
e të krijoj gjithçkanë pas kësaj.
Vjen gjithherë e njëjta,
e njëjta lojë,
prekje,
puthje,
ikje,
sepse kështu ke zgjedhur të duhemi
ethshëm,
dhimbshëm,
pafundshëm,
me zjarrin që ia pasojmë njëri-tjetrit
në sy,
buzë,
duar,
me lotin që mëkojmë
ikjen,
pritjen,
mallin
Si rrëfimi i një përralle të moçme që zgjat
orë?
ditë?
shekuj?
në pritje të një fundi të zakonshëm përrallor
“dhe ata jetuan të lumtur!”