Shkrimtar: Arbër Ahmeti
Recitues: Rozi Kostani

E mora me pasion kryqëzimin

Më duhej trupi yt për të shkëlqyer në këtë zeje

përvëluese

I varur në kryqin tim pa gozhdë

Puthitur për lëkurën tënde të roztë

Kishte sy të panumërt nëpër terr, që n’a shihnin

sy që kishin humbur kafkat, e ty të merrnin për diell, aq dritë kurrë s’kishin parë!

Qe ferr a terr?

Jetonim si iriqë në ferra!

Kishte edhe të kënaqur, Sokrat të rrallë

E shumë derra!

Migjenin ia faturonim së shkuarës, Mbretit

ne jetonim të ardhmen që kurrë s’vinte

Si mesazhet e marinarëve të mbytur

Në shishet e hedhura detit!

Veç ty të kisha si burim drite

E një planet që s’bënte shumë zhurmë kur rrotullohej

e mbaja në xhep

për ta shfletuar bashkë

Ia shihnim vizatimet naive me pemë, zogj e qiell e njerëz

Mësuesi i trembur n’a thoshte se edhe Skenderbeu ka qenë marksist!

Miladini komunist

Mos harroni shallin e pionierit n’a porosiste:

e mbante edhe shoku Mao gjatë marshimit të madh!

Madje edhe Lenini trupvogël

Asgjë nuk ishim

As dushk

As gogel

Veç gjuha jote në gojën time

Ka ëmbëlsuar fëmijërine

Tjerat ishin helm, vrer

Ti me fale një ëndërr një shpresë

Si litar drite për tu ngjitur deri

Në folenë e një zogu

Nga ku mund të shihja një kopsht me yje

Plot flutura lule e kryqe të vogla varur mes gjinjsh të bardhë

me mahnitjen e burrit që dëgjon jazz e sheh dritë për herë të parë

Ti më the se

Zogjtë me këngën më të bukur i mbyllin në kafaz!

Ndaj e mbylla gojën

Ti je dëshpërimisht e domosdoshme!

Si fryma

Si vrapimi i kuajve

Mos hidh rrënjë globi im

as mos u rrotullo!

Le të jemi një gabim i vogël kozmik!

Nga dashuria me mua

Ke lindur libra

Një bibliotekë

Kromozomet e mia janë shkronja

Pasioni për t’u kryqëzuar

Vinte nga bibla

Nga libra

Liria jepte shenja

Si prushi nën hi

Çfar është për tu djegur

Do digjet qoftë edhe

Notre Dame de Paris