Shkrimtar: Luan Rama
Recitues: Alfred Trebicka

Ua harrova emrat

Mbiemrat ndoshta i keni ndryshuar tani

Ua harrova edhe ngjyrën e syve

Se ngjyrën e flokëve po se po

Ka bojera tani dhe floktore kudo

Ua harrova edhe adresat

Se numra telefoni nuk kishit

Facebook e facetime aq më pak

Kishit përparëse shkolle e bishtaleca

Fjongo, jaka e bluza të bardha

Kishit të brendëshme pambuku e mbajtëse gjinjësh të thjeshta

Kishit erë të mirë vajzërishte

Dhe skuqje faqesh

Kishit lule nën lëkurë

Dhe dridhje gjethesh

Druajtje lastarësh që tremben

Nga pasqyrimi mbi ujë

Ua harrova nishanet, dhe shenjat e aknes

Ditët e ciklit dhe ngjyrën e pushit mbi kodrinën përvëluese

Mbaj mend veç shijen e buzëve dhe rrëzimin e kurmit tuaj

Mbaj mend diellin, yjet, hënën e trupat qiellore

që silleshin rreth shtratit tonë

Frikën nga bebet dhe atë të kthimit vonë

Ju tashmë jeni kalendar i dikujt tjetër

Unë s’jam për ju veç një kujtim i fjetur

(Nuk thash “i vdekur”)

Betohem

ju sjell shpesh ndërmend,

Ikni e vini si shkëndija në tru

Përpiqem t’ju ndez, por shkimeni

Si imazhet pas qelqeve flu!