Nga satrapët më satrap 
nga dervishët më dervish, 
ky zabit, ky dreqo-lab, 
pa kalem e pa qitap, 
paskish lindur me këmish! 

Po satrapin, unë ju lus, 
mos ta marrim për qortim, 

ai ish një kryetrim, 
një rrufe, një vetëtim, 
që i tha sulltanit: sus! 

Një rrufe… 
Po rrufeja, vini re, 
i ka rrënjët në një re! 
si dhe truri, tungjatjeta, 
me gjith’ dritëzat e veta, 
i ka rrënjët në kaptinë! 
po sa larg dhe sa lart 
shkon e ndrin dhe vetëtin! 

Dhe Ali Pasha kajmeni 
nip stërnipi i një dere, 
soj dervishi, soj sejmeni, 
i ushqyer me mëna ferre! 
me guzimin mrekulli 
u bë kryefermanlli 
dhe nga truali i tij i ngusht’ 
i lëshoi një goxha grusht 
perandorve osmanlli! 

Dhe arriti sa pothuaj, 
në tryezë të çezarve 
ku vlon hymni ngadhnjimtarve, 
hymn’ i tija s’mbet i huaj! 

Le t’i ngrem’, pra një dolli! 
fam’ e tija është e madhe, 
vler’ e tija më e madhe! 
Në e ultë historia, 
di ta ngrerë Shqipëria, 
sepse trimin, nuk e nuk, 
trimi trimin nuk e zhduk!