Duhej të isha rreth dhjetë vjeç kur dëgjova për herë të parë emrin e tij. Ja se si ndodhi: dajua i babait tim, Xhemil Veli Duka nga Vranishti i Vlorës, drejtor i shkollës së atij fshati, zbriste në qytet një herë në muaj për të marrë pagën e tij dhe të mësuesve të tjerë. Atë natë flinte tek ne, jo vetëm se qyteti nuk kishte hotele, por edhe se i hahej muhabeti me tim atë. Një herë, duke më parë që po shkruaja detyrat, u afrua, i pëlqeu kaligrafia ime, më mburri shumë. Së shpejti e kuptova përse e bëri këtë. Nxorri nga xhepi një fletore të trashë me shkrim të kuptueshëm dhe m’u lut t’ia kopjoja brenda një muaji. Gjithë atë muaj kopjova me kujdes vjershat e dajos së babait tim, që më pëlqyen shumë. Ishin këngë trimërie për heronj të ndryshëm, sidomos të Luftës së Vlorës, por edhe vjersha dashurie. Disa vargje i mësova përmendësh. Më duhet të them se,nën ndikimin e tyre, bëra edhe unë një vjershë për maçokun tim të kuq, që ishte hajdut i madh dhe na e vrau gjitoni Kadri së bashku me gruan e tij Bejeko. Kur erdhi dajo Xhemili herën tjetër, e vështrova me më tepër respekt, i recitova disa nga vargjet që mbaja mend, i recitova gjithë krenari edhe kryeveprën time të parë. Ai qeshi me gjithë shpirt dhe tha: “Unë shkruaj për heronjtë e vërtetë, ti bën hero maçokun” dhe filloi të më ligjërojë për patriotizmin. Unë i thashë se ai është poet i madh, më i madhi i të gjithëve dhe do të përpiqesha t’i ngjaja. Dajo Xhemili u vrenjt dhe më tha: “Poet i madh është Ali Asllani. Unë jam një rapsod dhe vetëm kaq”.
Kërkova të lexoja poezi nga Ali Asllani, por nuk gjeta. Duhet të pohoj se fillova të frekuentoj bibliotekën në moshë fare të vogël për hir të tij. Ishte viti 1954. Gjithë letërsinë e re shqiptare, e vetmja që lejohej atëherë, e lexova brenda një jave, por Ali Asllanin do ta lexoja të cunguar vite më vonë. Përse? Një poet dashurie aq i veçantë, himnizuesi i Vlorës, i vendit, damkosësi i satrapëve dhe tradhtarëve, përse ndalohej? Përse cungohej?
Kur miku im, piktori Koço Zhezha, në vitin 1987, do të mbronte diplomën në letërsi, i rekomandova Ali Asllanin dhe ai, duke marrë leje për të gërmuar në arkiv, vuri re se sa poet i fuqishëm ishte, më falënderoi që ia rekomandova dhe kërkoi të bëhesha udhëheqës i diplomës së tij. Kreva një detyrë dhe një merak të vjetër ndaj Poetit.
Por një punë të plotë e të thelluar ka bërë Dr. Bardhosh Gaçe, me grumbullimin dhe botimin e plotë të veprës së tij në dyvëllimshin “Vidi-vidi pëllumbeshë”.
Me kënaqësi zgjodha disa nga kulmet e krijimtarisë së tij që i rrinë kurorë poezisë shqipe të asaj periudhe, ku shkëlqyen emra aq të veçantë si Çajupi, Asdreni, Mjeda, Lasgushi, Fishta, Fan Noli, Migjeni.
Hiqmet Meçaj, janar 2005
(Botuar në: “Gazeta e Athinës, 2005)