Shtatë prill… 
Kopilove o kopil 
E u lute u këpute 
Njëqind pash në dhe u fute! 

Natyrisht një tradhëtor 
Spor e fisit arbëror 
E pret hasmin me daulle 
Kur gjen ditën ta bën pulle! 

Na e gjeti dhe na ra 
Vret Shqiponjën që s’u vra 
Nuk u vra dhe nuk do vritet 
Poshtë-përpjetë me vrull vërtitet! 

Ja dhe himni që na thuri 
Himn’i zi i një qivuri: 
“Eja, eja alala 
Të na rrojë Duçeja 
Duçeja guguçeja 
Le të rroj’ edhe flamuri 
Sa për sy e për bela!” 

I pabesi ta dij’, pra 
Ndër kasolle me një tra 
Që nga Shkodra gjer në Dropull 
Rron ai që i thon’ popull! 

Ajo dor’ që rreh dybekun 
Di ta mbush edhe dyfekun 
Në se ditën çan ugar 
Edhe natën thur litar 
Thur litar e kalit grushtin 
Dhe e var nga këmbët pushtin!